Një qytetar ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të një rruge në zonën e Laprakës, konkretisht nga rruga "Gani Kryeziu" te njësia numër 11. Sipas tij, rruga ndodhet në kushte shumë të këqija prej vitesh dhe mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përkatëse ka sjellë vështirësi serioze për banorët e zonës.
Ai shprehet se situata bëhet edhe më problematike gjatë reshjeve të shiut, duke e bërë të rrezikshëm daljen nga shtëpia. Rruga, sipas denoncimit, është pa kanalizime dhe pa infrastrukturën minimale, çka rrit frikën dhe pasigurinë për këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Qytetari i bën thirrje njësisë nr 11 dhe bashkisë Tiranë me kryetare Anuela Ristanin që të marrin masa dhe të ndërhyjnë sa më parë për shtrimin dhe rregullimin e rrugës. Banorët e zonës kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme, duke theksuar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë.