Prej disa ditësh, në fshatin Mifol, pjesë e njësisë administrative Novoselë, po zhvillohen punime intensive me mjete të rënda, duke shkaktuar gërryerje të pakontrolluar dhe shkatërrim të tokave bujqësore të banorëve. Kamionë dhe fadroma operojnë pa ndërprerje, përfshirë edhe fundjavat, pa asnjë njoftim zyrtar, pa tabela informuese dhe pa transparencë mbi qëllimin e punimeve, duke ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë e këtij aktiviteti.
Sipas burimeve lokale, ekziston një vendim i Këshillit të Komunës Novoselë që e përcakton zonën si territor të destinuar për varreza, por ky vendim nuk parashikon në asnjë pikë shfrytëzimin e saj për nxjerrjen e dherave apo inerteve. Deri më tani, asnjë institucion përgjegjës nuk ka sqaruar sasinë e materialit që po merret, afatin e punimeve, kompaninë që po kryen ndërhyrjen apo projektin për të cilin po përdoren këto dhera, duke thelluar edhe më shumë shqetësimin e komunitetit lokal.
Banorët e Mifolit shprehen të alarmuar, pasi në zonë ndodhen toka të trashëguara ndër breza, të mbjella kryesisht me ullinj, të cilat po dëmtohen rëndë. Edhe pse shumë prej këtyre pronave nuk janë të pajisura me certifikata pronësie, ato janë shfrytëzuar dhe mirëmbajtur prej dekadash nga familjet vendase. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet vendore dhe qendrore, ndalimin e menjëhershëm të punimeve pa dokumentacion dhe hartimin e një plani të qartë dhe transparent për mbrojtjen e tokave dhe të ardhmen e fshatit Mifol.