Duke nisur nga ora 00:01 e datës 26 janar 2026, e për 7 ditë, pritet bllokimi i përkohshëm i qarkullimit të mjeteve të transportit të mallrave në hyrje dhe dalje të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga shoqata e transportit të mallrave “Makam-trans”. Sipas njoftimit zyrtar, fillimisht do të bllokohet hyrja e mjeteve të mallrave në territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës ditë do të ndalohet edhe dalja e tyre. Protesta është planifikuar të zgjasë deri në shtatë ditë, nëse nuk gjendet një zgjidhje për problematikat e ngritura nga transportuesit.
Ministria e Punëve të Brendshme Sektori për Punë Kufitare dhe Migracion ka bërë të ditur se protesta do të zhvillohet në disa pika kufitare kyçe, përfshirë Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllacë dhe Bllatë, të cilat lidhin Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë dhe shtete të tjera fqinje. Kufizimi do të realizohet përmes mbylljes së korsive rrugore dhe terminaleve të dedikuara për trafikun e mallrave, ndërsa automjetet e udhëtarëve do të vijojnë lëvizjen pa pengesa në të gjitha pikat kufitare.
Nga bllokimi do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore ose bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht. Autoritetet u kanë bërë thirrje subjekteve të transportit dhe qytetarëve që të informohen në kohë dhe të marrin masa për të shmangur vonesat dhe vështirësitë gjatë kësaj periudhe. Ministria e Punëve të Brendshme ka garantuar se do të sigurojë qarkullim të pandërprerë për automjetet e udhëtarëve dhe autobusët, pavarësisht zhvillimit të protestës.