Tre persona janë arrestuar nga autoritetet, pasi akuzohen për futje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike brenda ambienteve të Burgut të Elbasanit. Në pranga kanë rënë punonjësi i policisë së burgjeve Ndriçim Kroi, i paraburgosuri Gerald Stamolla, si dhe një familjare e këtij të fundit, Esmeralda Komici.
Sipas dosjes hetimore, efektivi Ndriçim Kroi shfrytëzonte detyrën për të futur drogë në regjimin e brendshëm të IEVP Elbasan. Për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm, ai punonte jashtë orarit si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, ku shiste telefona të përdorur dhe sende me vlerë, ndërsa merrte porosi nga familjarë të të paraburgosurve.
Hetimet tregojnë se Kroi furnizonte me lëndë narkotike të paraburgosurit Gerald Stamolla, Fatjon Pellumbi dhe Emiljano Dinja, të cilët më pas kryenin shpërndarjen brenda burgut. Për të shmangur dyshimet, ky aktivitet kryhej kryesisht gjatë turnit të tretë, në fundjavë, kur numri i personelit ishte i reduktuar.
Autoritetet kanë dokumentuar të paktën pesë episode të dyshimta, ku efektivi ndiqte të njëjtin itinerar lëvizjesh, nga automjeti i tij drejt sallës së informacionit dhe më pas në regjimin e brendshëm. Pamjet filmike tregojnë veprime të pazakonta dhe shmangie të kontrollit të sendeve personale.
Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe përgjime telefonike mes Ndriçim Kroit, bashkëshortes së tij dhe Esmeralda Komicit, ku flitet për porosi dhe koordinim për futjen e “mallit” në qeli. Komici komunikonte vazhdimisht me efektivin, duke kërkuar takime dhe udhëzime për dorëzimin e lëndës narkotike.
Në një bisedë, Esmeralda Komici i dërgon mesazh një numri të paidentifikuar. Ajo shkruan “40 bëj dhe 10 mijë lek se pak do ky, totali 50 mijë lekë.” Numri në fjalë i shkruan asaj që ta presë te një rrugicë në qytet për të zbatuar porosinë.
Pjesë nga biseda:
Në datën 27.06.2025 në orën 03:16 PM Esmeralda Komici me i dërgon SMS personit.
Esmeralda: 40 bëj dhe 10 mijë lek se pak do ky, totali 50 milek.
Numri: Ku je ti ?
Esmeralda: Këtu ku erdhe.
Numri: Te prokuroria, po 10 për hundë.
Esmeralda: Po lali, të dal.
Numri: Sa po i hipi motorit, për tre minuta dil të lutem. Më del dot te rrugica e Brakës. Dil.
Esmeralda: Yes! o lal po sa pak e kishe bo?