Një restorant në zonën e plazhit të Durrësit, në afërsi të Urës së Dajlanit, është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme, duke u djegur pothuajse plotësisht.
Sipas dëshmitarëve nga vendngjarja, zjarri ka përfshirë të gjithë ambientin e lokalit që ndodhet në katin e parë të një ndërtese, ndërsa situata është përkeqësuar për shkak të vështirësisë së mjeteve zjarrfikëse për të aksesuar zonën. Në pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania shihet tym i dendur që del nga ambientet e brendshme, si edhe momenti kur zjarrfikësja mbërrin në vendngjarje.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet një verifikim nga autoritetet për të përcaktuar arsyen e incidentit.