Konsumatori denoncon supermarketin SPAR: Djath i mykur në raft, ka dy javë që s’e heqin!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.01.2026, 20:42

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë alarmante lidhur me sigurinë ushqimore në supermarketin SPAR, në zonën e Don Boskos në Tiranë.

Përmes disa fotografive të dërguara, qytetari dokumenton praninë e mykut në një paketim të djathit të grirë "Grana Padano D.O.P", i cili pavarësisht gjendjes së dukshme të degraduar, vazhdon të ekspozohet në raftet e shitjes për konsumatorët.

Ajo që e bën më rëndë këtë rast është fakti se, sipas denoncuesit, ky produkt qëndron në të njëjtin vend prej më shumë se dy javësh pa u tërhequr nga stafi përgjegjës, duke treguar një neglizhencë totale ndaj standardeve bazë të higjienës.

Nga këqyrja e etiketës, vihet re se produkti është ambalazhuar së fundmi dhe mban një datë skadence deri në shkurt të vitit 2026, çka ngre dyshime të forta se myku ka ardhur si pasojë e kushteve të papërshtatshme të ruajtjes ose ambalazhimit të një produkti tashmë të dëmtuar.

Ky denoncim vjen si një thirrje për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që të ushtrojë kontrolle të imtësishme në këtë pikë shitjeje, pasi produktet e mykura në raft nuk janë thjesht një thyerje e etikës tregtare, por një rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve që besojnë te markat e mëdha për tryezat e tyre.

JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi apo mase nga institucionet për të garantuar që raste të tilla papërgjegjshmërie të mos kalojnë në heshtje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit