Dy ditë pas apelit të publikuar nga 'Shqiptarët për Shqiptarët' dhe JOQ Albania, është mbledhur në kohë rekord shuma e nevojshme për vogëlushin Kostantinos, foshnjën 5-javëshe që po luftonte për jetën.
Lajmi i mirë është konfirmuar nga Fondacioni Firdeus, të cilët morën përsipër rastin, ndërsa sot vogëlushi është nisur drejt Italisë, ku do të marrë trajtimin e specializuar që i nevojitet.
Prindërit, të prekur dhe plot shpresë, falënderojnë nga zemra të gjithë shqiptarët për reagimin e jashtëzakonshëm dhe solidaritetin e treguar.
Nëna shprehet në video:
“Është e pabesueshme. Sot po nisemi me djalin tonë në Itali. Gjithçka u realizua në kohë rekord. Ishte surpriza më e madhe që mund të më vinte dhe gjëja më e bukur që mund të ndodhte këto ditë. I falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët.”
Edhe babai i vogëlushit shpreh lehtësim dhe shpresë:
“Ndjehem shumë i lumtur dhe i lehtësuar, sikur kam hequr një barrë të rëndë. Shikoj që gjithçka po merr një drejtim të mbarë dhe shpresa ime tani është e pafundme që çdo gjë do të shkojë mirë. Presim me padurim që të jemi sa më shpejt të tre bashkë.”
Ky rast është edhe një herë dëshmi se kur shqiptarët bashkohen, mrekullitë ndodhin. Në situata të tilla, solidariteti ka shpëtuar jetë dhe ka dhënë shpresë aty ku gjithçka dukej e pamundur.
JOQ Albania falënderon çdo qytetar që kontribuoi dhe çdo person që e shpërndau apelin, duke u bërë pjesë e shpëtimit të një jete të vogël. I urojmë Kostantinosit shërim të plotë dhe kthim të shpejtë pranë familjes së tij.