Një studim i fundit i Institutit të Shëndetit Publik ka nxjerrë në pah një situatë shqetësuese për shëndetin kardiovaskular në vend, duke renditur qarkun e Lezhës me incidencën më të lartë të sëmundjeve ishemike të zemrës. Sipas të dhënave, 1 në çdo 300 banorë në këtë qark preket nga këto patologji, një shifër dukshëm mbi mesataren kombëtare.
Në rang vendi, incidenca mesatare vlerësohet në rreth 201 raste për 100 mijë banorë, ose afërsisht 1 në çdo 500 banorë. Pas Lezhës, qarku i Beratit renditet i dyti për nivelin e lartë të sëmundshmërisë, me 1 rast në 396 banorë.
Me shifra të krahasueshme me mesataren kombëtare vijojnë edhe qarqet e Tiranës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, ku sëmundjet ishemike të zemrës prekin 1 në çdo 440 deri në 500 banorë. Ndërkohë, incidenca më e ulët konstatohet në Kukës, Gjirokastër dhe Fier, ku raporti varion nga 1 rast në 580 deri në mbi 1 000 banorë.
Edhe pse në nivel kombëtar vihet re një rënie e lehtë e këtyre sëmundjeve nga viti në vit, disa qarqe si Dibra, Elbasani, Shkodra, Tirana dhe Vlora kanë shënuar rritje të numrit të rasteve, duke sinjalizuar pabarazi të dukshme rajonale në shëndetin e popullatës.
Studimi tregon gjithashtu se meshkujt mbeten dukshëm më të prekur se femrat. Gjatë vitit 2024, sëmundjet ishemike të zemrës janë diagnostikuar te 1 në 357 burra, krahasuar me 1 në 805 gra.
Sipas të dhënave, rreziku rritet ndjeshëm me avancimin e moshës, veçanërisht pas moshës 60 vjeç. Specialistët theksojnë rëndësinë e parandalimit, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe trajtimit të hershëm të faktorëve të rrezikut, si mënyra e jetesës dhe sëmundjet bashkëshoqëruese, për të frenuar përhapjen e këtyre patologjive.