Në tregun shqiptar po qarkullon qumësht i kontaminuar me aflatoksinë, një toksinë e rrezikshme kancerogjene, ndërkohë që përgjegjësia po i faturohet fermerëve dhe jo hallkës ku nis realisht problemi. Sipas blegtorëve, burimi i ndotjes nuk janë fermat, por misri i importuar që hyn në vend pa kontrolle të mjaftueshme.
Misri i kontaminuar përdoret si ushqim për bagëtitë dhe aflatoksina kalon më pas në qumësht, duke e bërë atë të papranueshëm për përpunim. Në këto kushte, fabrikat e qumështit kanë nisur të refuzojnë prodhimin vendas për arsye sigurie ushqimore, ndërsa fermerët penalizohen drejtpërdrejt ekonomikisht.
Si pasojë, çmimi i qumështit vendas është ulur me rreth 10 lekë për litër dhe sasi të konsiderueshme mbeten pa u shitur, edhe nga ferma që punojnë me standarde. Fermerët theksojnë se në vende të tjera europiane misri me aflatoksinë nuk lejohet të hyjë në treg, ndërsa në Shqipëri mungesa e kontrolleve institucionale e ka zhvendosur barrën tek prodhuesit vendas.
Paralelisht, gjatë vitit 2025, Shqipëria ka importuar miliona litra qumësht nga vende të rajonit dhe BE-së, me çmime më të ulëta se prodhimi vendas nga zona si Fier dhe Lushnje. Kjo situatë, sipas fermerëve, lidhet me mungesën e subvencioneve dhe mbështetjes për blegtorinë shqiptare, krahasuar me vendet fqinje.
Ndërsa miliona euro dalin jashtë vendit për importe, qumështi vendas mbetet stok dhe konsumatorët përballen me pasiguri mbi cilësinë reale të produkteve që konsumojnë. Fermerët paralajmërojnë se vijimi i kësaj situate do të rrisë varësinë nga importi dhe do të çojë në çmime më të larta, duke dëmtuar njëkohësisht prodhimin vendas dhe sigurinë ushqimore.