Një situatë dramatike u shënua natën mes 6 dhe 7 janarit në aeroportin e Brindisit, ku pasagjerë të dy fluturimeve me destinacion Tiranën bllokuan pistën e uljes, pas devijimit të avionëve për shkak të kushteve të rënda atmosferike në Shqipëri.
Sipas raportimeve të Corriere della Sera, dy avionë që vinin nga Bergamo dhe Bolonja u detyruan të ulen në Brindisi, çka shkaktoi pakënaqësi dhe revoltë mes pasagjerëve. Tensioni u përshkallëzua kur disa prej tyre hynë në pistë, duke u vendosur nën krahët e avionëve dhe duke ndërprerë funksionimin normal të aeroportit.
Forcat e rendit ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur incidente më të rënda. Autoritetet italiane identifikuan tre persona me origjinë shqiptare si organizatorët kryesorë të protestës, për shkak të sjelljes agresive dhe rolit nxitës ndaj pasagjerëve të tjerë. Ata janë vënë nën hetim nga Prokuroria e Brindisit për disa vepra penale, përfshirë turbullim të shërbimit publik, dhunë dhe kërcënim ndaj punonjësve, dëmtim të pasurisë publike dhe shkelje të rregullave të sigurisë aeroportuale.
Tre të dyshuarit u ndaluan gjatë kontrolleve kufitare në Terminalin e Costa Morena, teksa përgatiteshin të udhëtonin me traget drejt Vlorës. Ndërkohë, situata e krijuar detyroi disa pasagjerë të kërkonin alternativa të tjera udhëtimi, duke u nisur me autobus drejt Romës ose duke pritur lëvizjen me traget.
Policia kufitare dhe Guardia di Finanza tentuan fillimisht të qetësonin turmën, por disa pasagjerë kaluan kordonin e sigurisë, shtynë punonjësit dhe dëmtuan një derë me alarm, duke hyrë në zonën e sigurisë “Apron”, ku ndodheshin avionët. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit bëri të mundur normalizimin e situatës dhe shmangien e pasojave më serioze për trafikun ajror.
Në përfundim, të gjithë pasagjerët arritën të kthehen në Shqipëri, pa u regjistruar incidente të rënda apo të lënduar.