Vijojnë problematikat serioze në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, konkretisht në Lotin e dytë, pranë kthesës së fshatit Trebinjë, ku janë konstatuar çarje dhe fundosje të trasesë së rrugës. Për shkak të rrezikut, qarkullimi i automjeteve kryhet vetëm në një korsi, ndërsa zona konsiderohet problematike për sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Situata është përkeqësuar pas reshjeve të muajve nëntor dhe janar, të cilat kanë sjellë rrëshqitje masive dherash dhe rënie shkëmbinjsh në trupin e rrugës. Para disa ditësh, autoritetet u detyruan të hapin një bypass të përkohshëm, ndërsa në një tjetër episod rruga u mbyll për rreth 10 ditë, duke krijuar vështirësi të mëdha për qarkullimin dhe lidhjen mes zonave.
Drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar, duke deklaruar se punimet janë të dobëta dhe se kanë frikë të kalojnë në këtë aks, i cili është inauguruar vetëm 5 muaj më parë. Ata fajësojnë neglizhencën institucionale dhe abuzimet me fondet publike, ndërkohë që rruga Qukës–Qafë Plloçë ka kushtuar rreth 260 milionë euro dhe janë dashur 16 vite për përfundimin dhe inaugurimin e saj.