Mbrëmja e 3 janarit 2026 në Venezuelë u shënua nga një operacion i fshehtë dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm amerikan, që përfundoi me kapjen e presidentit Nicolas Maduro. Sipas CNN, e cila ka analizuar mbi 50 video dhe imazhe të dëshmitarëve okularë, operacioni kulmoi me një shkëmbim intensiv zjarri në kompleksin ushtarak Fort Tiuna në Karakas, ku helikopterët amerikanë u ekspozuan ndaj rrezikut ekstrem gjatë uljes dhe ngritjes në një zonë të fortifikuar rëndë.
Analiza tregon se sulmi ishte përgatitur prej kohësh dhe nisi me goditje të koordinuara ndaj radarëve, komunikimeve dhe mbrojtjes ajrore venezueliane, duke hapur rrugën për helikopterët e operacioneve speciale. Më shumë se 150 avionë amerikanë u angazhuan nga toka dhe deti, ndërsa momenti më kritik zgjati rreth dy minuta, nga ulja e helikopterëve transportues deri në largimin e tyre, nën zjarr të pandërprerë nga forcat tokësore.
Pamjet filmike tregojnë largimin e Maduros nga Fort Tiuna pak minuta pas zbarkimit, me disa helikopterë që u ngritën njëri pas tjetrit dhe u larguan nga hapësira ajrore e Venezuelës në orët e para të mëngjesit. Autoritetet venezueliane raportuan rreth 100 viktima nga operacioni, ndërsa Kuba deklaroi humbjen e 32 anëtarëve të sigurisë presidenciale. Administrata amerikane njoftoi se nuk pati humbje jete nga ana e forcave të SHBA-së.