Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, 28-vjeçari grek i dyshuar për vrasjen e Jani Aliaj në burgun e Korydallos ka deklaruar se ka vepruar për vetëmbrojtje, duke pohuar se ishte i bindur se do të vritej nga viktima. Ai ka pretenduar se Aliaj ishte paguar për ta eliminuar, si hakmarrje për një vrasje të ndodhur disa muaj më parë në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë.
Sipas dosjes hetimore dhe ekspertizës mjeko-ligjore, Jani Aliaj ka marrë 23 goditje me thikë, kryesisht në fytyrë dhe kraharor, në një skenë dhune që ka tronditur edhe ekspertët. Gjatë përplasjes u plagos edhe një tjetër i burgosur që kishte ndërhyrë për t’i ndarë. Ngjarja ndodhi në një sektor pa kamera sigurie, në një moment kur burgu funksiononte me regjim të hapur, ndërsa autoritetet greke bëjnë me dije se më herët nuk ishin raportuar konflikte mes palëve.
Autori i dyshuar ka precedentë të rëndë penalë dhe akuzohet edhe për dy vrasje të tjera, ndërsa prej nëntë vitesh ndodhej në listën e kuqe të Interpolit. Ai pritet të përballet me gjykimin, duke rrezikuar burgim të përjetshëm. Ndërkohë, Jani Aliaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016, dhe autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij.