Numri i organizatave jofitimprurëse në Shqipëri ka njohur një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke ngritur shqetësime serioze mbi transparencën, funksionimin real dhe përdorimin e tyre për qëllime të dyshimta financiare. Sipas të dhënave zyrtare, në vend operojnë aktualisht 5,761 organizata të tilla, çka përkthehet në 1 OJF për çdo 400 banorë.
Megjithëse në letër këto struktura kanë si mision mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe zhvillimin e shoqërisë civile, realiteti duket ndryshe. Ekspertë të ekonomisë dhe monitorues të sektorit theksojnë se vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre janë realisht aktive dhe kanë ndikim konkret në jetën publike.
Vetëm gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 804 organizata të reja jofitimprurëse, ndërsa në total, në të gjithë sektorin punojnë pak më shumë se 9 mijë persona. Ky raport i ulët mes numrit të organizatave dhe punonjësve tregon se shumë prej tyre kanë aktivitet minimal ose formal.
Që në vitin 2019, organizmi ndërkombëtar Moneyval kishte paralajmëruar se OJF-të në Shqipëri përbëjnë një sektor me rrezik të lartë për pastrim parash, pikërisht për shkak të mungesës së monitorimit dhe burimeve të paqarta financiare.
Këto shqetësime janë konkretizuar edhe nga hetimet e SPAK. Prokuroria e posaçme ka zbuluar një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash, ku përfshiheshin kompani private dhe organizata jofitimprurëse të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj. Sipas hetimeve, vlera e transaksioneve kapte mbi 1 milion euro.
Ekspertët parashikojnë se numri i tyre pritet të bjerë në të ardhmen, pas ndërprerjes ose pezullimit të fondeve nga donatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicrën.
Kjo situatë pritet të sjellë një “pastrim” të sektorit, duke nxjerrë jashtë loje organizatat fiktive dhe ato që kanë funksionuar vetëm si mjete financiare, ndërsa mbijetesa do të mbetet vetëm për OJF-të me aktivitet real dhe transparencë të plotë.