Policia Kombëtare spanjolle dhe Agjencia Tatimore kanë goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke arrestuar tetë persona, disa prej tyre në momentin kur po hanin në një restorant në Vigo, pak para se të shkonin të merrnin një ngarkesë prej 200 kilogramësh kokainë të mbërritur nga Amerika e Jugut.
Sipas autoriteteve spanjolle, bëhet fjalë për anëtarë të një klani me origjinë shqiptare, të specializuar në trafikun detar të lëndëve narkotike përmes anijeve tregtare me kontejnerë. Operacioni, i koduar “Monterrey”, pengoi importin e parë të kësaj organizate në Galici.
Pesë të dyshuarit e parë u arrestuan më 12 janar në Vigo. Dy prej tyre u kapën në një banesë me qira, ndërsa tre të tjerë u arrestuan teksa po hanin në një restorant të qytetit, në pritje të momentit për të tërhequr katër pako kokaine me logon “Kia”, të futura në kontejner me metodën e njohur si “grepi i verbër”. Hetuesit i ndiqnin prej vitit 2024.
Një javë më vonë, më 20 janar, u arrestuan edhe tre bashkëpunëtorë të tjerë në zona të ndryshme të Galicisë, si A Coruña, Lugo, Madridi dhe O Salnés. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu rreth 20 mijë euro cash, ndërsa droga e konfiskuar u ekspozua në komisariatin e Vigos.
![]()
Sipas policisë, drejtuesi i këtij rrjeti ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Brian Colin Charrington, 68-vjeçarit britanik të njohur si “narkosi i Wikipedias”, i cili ndërroi jetë në korrik 2025 në Alicante. Charrington ishte bërë i njohur për publikimin e aktiviteteve dhe arrestimeve të tij në internet dhe konsiderohej një figurë kyçe e trafikut ndërkombëtar të kokainës mes Amerikës Latine dhe Spanjës.
Autoritetet spanjolle theksojnë se grupi shqiptar kishte bashkëpunim me organizata galiciene për t’u vendosur në Galici dhe për të përdorur portin e Vigos si pikë të sigurt për nxjerrjen e drogës. Kjo ngarkesë e sekuestruar ishte përpjekja e parë e tyre për të futur kokainë përmes këtij porti.
Në total, tetë persona janë arrestuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge, ndërsa pesë prej tyre janë lënë në burg. Hetimet, që zgjatën rreth 17 muaj, u drejtuan nga Gjykata e Hetimit nr. 8 e Vigós.
Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për “profesionistë me degëzime në mbarë botën”, me kontakte në zonat e prodhimit të drogës në Amerikën Latine dhe me kapacitet të lartë financiar për të vepruar në porte strategjike si Vigo, i cili tashmë konsiderohet një nga nyjet kryesore të narkotrafikut detar në Spanjë.