I dyshuari për vrasjen e Jani Aliajt në burgun e sigurisë së lartë Korydallos, në Greqi, ka dhënë dëshminë e tij të parë para grupit hetimor, duke deklaruar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Sipas mediave greke, 28-vjeçari me shtetësi greke ka pohuar se ndjehej i rrezikuar për jetën dhe ka pretenduar se ishte viktima ai që ishte paguar për ta eliminuar. Gjatë marrjes në pyetje, ai është shprehur se, sipas bindjes së tij, nëse nuk do të vepronte i pari, do të ishte vetë viktimë e sulmit.
I dyshuari e ka lidhur ngjarjen me një konflikt të mëparshëm dhe me një vrasje të ndodhur disa muaj më parë në zonën e Agios Panteleimonas, duke pretenduar se kjo kishte krijuar një zinxhir hakmarrjeje mes palëve.
Nga të dhënat e deritanishme të dosjes hetimore, Jani Aliaj humbi jetën si pasojë e plagosjeve të marra gjatë përplasjes, ndërsa në incident u lëndua edhe një tjetër i burgosur, i cili dyshohet se tentoi të ndërhynte për të ndarë palët.
Autoritetet greke bëjnë me dije se 28-vjeçari ka precedentë të rëndë penalë dhe është i përfshirë edhe në hetime për vepra të tjera të rënda. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një sektor të burgut ku nuk kishte kamera sigurie, në një moment kur të burgosurit kishin liri lëvizjeje brenda ambienteve të institucionit.
Sipas burimeve zyrtare, para incidentit nuk ishin raportuar konflikte të hapura apo sinjale paralajmëruese mes viktimës dhe autorit të dyshuar, çka ka shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si situata degradoi deri në një ngjarje fatale.
Pas dhënies së dëshmisë, i dyshuari është rikthyer në qelinë e tij dhe pritet të përballet me procesin gjyqësor në Greqi, ku rrezikon dënime të rënda, deri në burgim të përjetshëm.
Jani Aliaj ishte dënuar më herët me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, krim i ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për ekstradimin e tij, me qëllim që dënimi të vuhej në Shqipëri.