QSUT ndal analizat çdo muaj pas datës 20: Shëndeti kushtëzohet nga fondi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.01.2026, 20:21

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shërbimi i analizave laboratorike nuk përcaktohet më vetëm nga nevoja mjekësore, por nga kufiri mujor i një kontrate koncesionare. Praktikisht, diagnostikimi i pacientëve është lidhur me kalendarin financiar.

Analizat laboratorike në spitalin më të madh publik në vend ofrohen përmes një Partneriteti Publik-Privat (PPP). Kontrata parashikon që, sapo të arrihet 100% e tavanit buxhetor mujor, kompania koncesionare nuk ka më detyrim të kryejë analiza rutinë.

Sipas burimeve nga brenda QSUT-së, ky kufi zakonisht arrihet rreth datës 20 të çdo muaji. Që nga ai moment, pacientët përballen me të njëjtën përgjigje: “fondi ka mbaruar”. Në praktikë, kjo përkthehet në shtyrje analizash, vonesa në diagnozë, trajtime të vonuara dhe rritje të rrezikut për shëndetin.

Kontrata detyron koncesionarin të njoftojë spitalin kur shpenzimet arrijnë 50%, 75% dhe 100% të buxhetit mujor. Pas tejkalimit të tavanit, lejohen vetëm analiza urgjente, të cilat nuk duhet të kalojnë 5% të volumit total mujor.

Por problemi nuk ndalet këtu. Sipas të njëjtave burime, kjo skemë është kthyer edhe në një mjet presioni mbi mjekët dhe shërbimet spitalore. Në QSUT raportohet se janë zhvilluar mbledhje ku shefat e shërbimeve thirren përballë analistëve të koncesionarit, për të dhënë shpjegime pse në një shërbim janë kryer “shumë” analiza dhe në një tjetër “pak”.

Në vend që të mbrohet autonomia mjekësore dhe interesi i pacientit, krijohet përshtypja se koncesionari ka fituar një autoritet de facto për të ndikuar në vendimmarrjen klinike, duke e zëvendësuar logjikën mjekësore me atë financiare.

Kështu, QSUT, institucioni që duhet të garantojë shërbim shëndetësor publik, shfaqet më shumë si zbatues i disiplinës buxhetore të kontratës sesa si mbrojtës i së drejtës së pacientit për diagnostikim dhe trajtim në kohë.

Ky nuk është një episod i izoluar. Përsëritet çdo muaj: analiza në fillim, paralajmërime për tejkalim fondi në mes dhe bllokim shërbimi për pacientët jo-urgjentë në fund. Një cikël i parashikueshëm, i normalizuar dhe i pranuar institucionalisht.

Në thelb, kemi një sistem ku buxheti vendos për shëndetin, jo shëndeti për buxhetin. Ndërsa pacientët presin, kontrata vazhdon të zbatohet pa devijime.

Pyetja që mbetet është thelbësore: A është QSUT një spital publik në shërbim të pacientëve, apo një platformë për zbatimin rigoroz të kufijve financiarë të një koncesioni?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit