Policia spanjolle, në bashkëpunim me Agjencinë Tatimore, ka shkatërruar një organizatë kriminale shqiptare të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, duke sekuestruar 200 kilogramë kokainë në Portin e Vigos. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 8 persona, nga të cilët 5 janë dërguar në burg.
Sasia e konsiderueshme e drogës ishte fshehur në një kontenier të ardhur nga Kolumbia. Hetimi, i cili kishte nisur në vitin 2024, u zhvillua përmes bashkëpunimit mes institucioneve spanjolle, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të linjave të reja direkte mes Amerikës Latine dhe portit të Vigos nga rrjetet kriminale ndërkombëtare.
Operacioni, i koduar “Monterrey”, bëri të mundur identifikimin e një klani shqiptar që përdorte metodën e njohur si “grep i verbër”. Kjo teknikë konsiston në futjen e lëndës narkotike në kontenierë legjitimë ose bosh, në bordin e anijeve tregtare, për t’u nxjerrë më pas sapo anija mbërrin në portin e destinacionit.
Më 12 janar, pas një pune të gjatë hetimore, policia ndërhyri duke arrestuar pesë anëtarë të rrjetit, të cilët kishin mbërritur në Vigo një ditë përpara ankorimit të anijes, me qëllim marrjen e drogës. Dy prej tyre u arrestuan në një banesë me qira pranë qytetit, ndërsa tre të tjerë u kapën në flagrancë teksa ndodheshin në një restorant.
Hetimi vijoi edhe ditët në vijim dhe të martën e kaluar u arrestuan tre persona të tjerë në A Coruña, Lugo, Madrid dhe në rajonin Salnés të Pontevedrës.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i rrjetit ishte një trafikant i njohur droge, ndaj të cilit ekzistonte edhe një urdhër gjykate për arrestim për vepra të mëparshme penale të lidhura me narkotikët.
Gjatë operacionit u sekuestruan 200 kilogramë kokainë, të ndara në katër pako, si dhe 20 mijë euro para cash. Tetë të arrestuarit u vunë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për veprat penale të përfshirjes në organizatë kriminale dhe trafik droge, ndërsa për pesë prej tyre u vendos masa e arrestit me burg.