Anis Mehmeti qëndron në Championship, prezantohet tek ekipi i ri: Jam i uritur…

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.01.2026, 17:07

Anis Mehmeti do të vijojë karrierën e tij në Championship, kategorinë e dytë të futbollit anglez. Sulmuesi shqiptar, një nga lojtarët më në formë në gjysmën e parë të sezonit, ka zyrtarizuar transferimin te Ipswich Town, klub që ka në strukturën e pronësisë edhe këngëtarin e njohur Ed Sheeran.

Ipswich Town konfirmoi marrëveshjen përmes një komunikate zyrtare në faqen e klubit: “Klubi ka kënaqësinë të konfirmojë nënshkrimin me Anis Mehmetin nga Bristol City. 25-vjeçari ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në Portman Road deri në vitin 2029.”

Mehmeti vjen te Ipswich si një sulmues me statistika mbresëlënëse, duke regjistruar 8 gola dhe 6 asistime në pjesën e parë të sezonit në Championship. Ai do të mbajë fanellën me numrin 33 te skuadra e re.

Vetë futbollisti nuk e fshehu entuziazmin për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e tij: “Jam vërtet i emocionuar që nënshkrova për këtë klub. Gjithçka që Ipswich synon të arrijë përputhet me ambiciet e mia. Tifozët janë fantastikë dhe mezi pres të luaj përpara tyre. Të gjithë e dinë se objektivi është rikthimi në Premier League dhe unë jam këtu për të dhënë kontributin tim maksimal”, u shpreh Mehmeti për faqen zyrtare të klubit.

Nga ana tjetër, largimi i tij ka lënë një shije të hidhur te Bristol City. Trajneri Gerhard Struber, në një deklaratë për BBC, pranoi zhgënjimin, por edhe realizmin e situatës: “Është për të ardhur keq që humbëm një nga lojtarët tanë më interesantë, por ky është futbolli. Duhet ta pranojmë. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe nuk është momenti për t’u ankuar, por për të ecur përpara dhe për t’u përqendruar te ajo që mund të ndryshojmë.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit