Një 19-vjeçar nga Lushnja është arrestuar dhe ndaj një shtetaseje braziliane ka nisur procedimi penal, pasi dyshohen për përfshirje në prostitucion. Sipas të dhënave zyrtare, i riu dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion 25-vjeçaren, të cilën e kishte strehuar për rreth dy muaj në ambiente të ndryshme, përfshirë edhe banesën e tij në fshatin Karbunarë e Madhe.
Nga hetimet paraprake mësohet se shtetasja braziliane ushtronte prostitucionin në vende të tjera dhe jo në banesën ku qëndronte. Ajo është proceduar penalisht për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”, ndërsa i riu akuzohet për shfrytëzim prostitucioni.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar dy telefona celularë, të cilët do të përdoren si prova materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.