Dritëhije mbi rolin e kryeinfermierit të burgut, dyshohet se takoi Ndocin në qeli para arratisjes

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.01.2026, 15:16

Në fokus të hetimeve dhe debatit publik është përfshirja e kryeinfermierit të Burgut të Durrësit, Aulon Çuku, në arratisjen e Altin Ndocit më 13 janar, nga spitali i qytetit. Ndoci, i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në organizata kriminale, është konsideruar si “krahu i armatosur” i organizatës së Çopjave. Sipas Prokurorisë, Çuku rezulton të ketë qenë personi që ka nisur dhe ka ndjekur të gjitha procedurat për transferimin e Ndocit jashtë burgut, pa kontaktuar më parë mjekun që duhej ta vizitonte.

Zanafilla e arratisjes lidhet me vendimin e autoriteteve të burgut për ta dërguar Ndocin në spital. Sipas Prokurorisë, Çuku ka kërkuar nga mjekja e burgut, Yrfete Sema, një rekomandim për vizitë, i cili u hartua pa një kontroll të mëparshëm të të paraburgosurit. Mjekja Sema ka deklaruar se nuk e ka vizituar Ndocin, por është njoftuar për “dhimbje veshkash” nga kryeinfermierit. Ajo ka pohuar se dyshon se Çuku ka hyrë në ambientet e paraburgimit, pasi ka lënë aparate celular pranë komodinave.

Nga ana e tij, Çuku ka mohuar çdo kontakt me Ndocin në izolim, duke pretenduar se nuk e ka vizituar dhe se nuk ka kërkuar rekomandim nga mjekja Sema. Sipas tij, rekomandimi i është dhënë vetë nga mjekja.

Prokuroria, ndërkohë, shton si element dyshimi edhe kontaktin e dyshimtë me ish-drejtorin e burgut, Indrit Cerloj, i arrestuar tashmë. Çuku mohon çdo ndërveprim në intervalin e kohës që hetimi përmend.

Megjithatë, një aspekt duket i qartë: pretendimet për shqetësime reale shëndetësore të Ndocit duket se janë të fabrikuara, siç sugjeron Prokuroria edhe për katër vizitat e mëparshme të tij në spital që nga tetori i vitit të kaluar. Në fakt, sipas dosjes hetimore dhe informacioneve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, shoqërimet e të burgosurve në spital duket se ishin shpesh favorë të paguar, pasi spitali përdorej për “takime speciale”.

Vetë Çuku, i lënë në arrest shtëpie nga gjykata, ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ndonjë urgjencë shëndetësore të Ndocit, as mëngjesin e 13 janarit, kur ai u shoqërua në spital.

Por roli i tij pas transferimit ngre dyshime të forta. Mjekja Sema ka shpjeguar se “Auloni komunikon me spitalin për realizimin e vizitave ose konsultave”. Ndërsa Prokuroria thekson se kryeinfermieri nuk e njoftoi mjekun e planifikuar për vizitë, për të marrë masat e nevojshme për vizitën në kohë.

Sipas rekomandimit, Ndocit duhej t’i bëhej vizita nga një kirurg. Në atë ditë, në spital ishte kirurgu Naim Mediu, i cili ka deklaruar se rreth orës 10:30 u kontaktua nga Çuku, i cili kërkoi konsultë për një të burgosur që ndodhej në ambientet e spitalit. Kirurgu ka thënë se i dha Çukut një recetë me katër ilaçe qetësuese, duke shtuar se Ndoci nuk ishte prezent gjatë plotësimit të rekomandimit, dhe se mjeku e ka dhënë dokumentin Çukut për t’i marrë medikamentet.

Megjithatë, Ndocit nuk i është dhënë trajtimi i premtuar, ndërkohë që ai priste vizitën e mjekut. Dy punonjës të sigurisë, të cilët ishin me të në repartin infektiv, kanë deklaruar se Çuku u tha se “doktorin do ta vonojë 2–3 orë”.

Pas kësaj, kirurgu Mediu është informuar se Ndoci kishte ikur nga spitali. Më vonë, rreth orës 15:00, sipas dosjes hetimore, Çuku e ka kontaktuar mjekun me një numër telefoni që ky i fundit nuk e kishte të regjistruar, dhe kanë biseduar për mënyrën se si kishte ndodhur arratisja.

Altin Ndoci u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, në shoqërinë e vetëm pesë punonjësve të sigurisë, duke shkelur protokollet. Nga dhoma e spitalit, e përshtatur me një “kafaz hekuri”, ai arriti të largohej në momentin që kërkoi të shkonte në tualet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit