Pas shembjes së shpateve të malit që kanë ndodhur në disa raste në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, deri sa disa ditë më parë sollën bllokimin total të këtij aksi, situata duket se është përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas raportimeve të fundit, në lotin e dytë të kësaj rruge, në një segment mbi fshatin Malinë, traseja e rrugës është çarë në disa pjesë, duke vendosur në pikëpytetje standardet që janë zbatuar gjatë ndërtimit.
Për disa metër traseja e rrugës është çarë dhe batisur në pjerrtësi të konsiderueshme. Sipas banorëve të zonës, rruga ka rrëshqitur edhe më herët gjatë kohës që ka qenë në ndërtim, por kompania ka vazhduar punimet duke mos zgjidhur problemin e ujërave të shiut që vijnë nga mali.
Sot në më shumë se 20 m gjatësi rruga dhe traseja e saj është çarë duke rrezikuar seriozisht mjetet që kalojnë.
Kjo rrugë kushtoi plot 260 milion euro për të ndërtuar dhe janë dashur 16 vite punë. Në vetëm disa muaj rruga ka shfaqur me dhjetëra probleme në pjesë të ndryshme të saj, duke nxjerrë në pah se punimet nuk janë aspak cilësore.