Pas raportimeve në media për supozuar mungesë kapacitetesh në burgje pas aksionit të Prokurorisë Themelore në Prizren për manipulim të votave, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka dalë me reagim. Sipas SHKK-së, “aktualisht në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës mbahen gjithsej 1,758 të burgosur”, ndërsa “kapacitetet e lira janë rreth 800 shtretër”. Për këtë arsye, thekson SHKK, “pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë” dhe institucionet kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja.
SHKK shton se, “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës”.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për opinionin publik nga SHKK
Pas informacioneve që po qarkullojnë në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, njoftojmë opinionin publik se në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër, prandaj pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë. Institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja. Ky njoftim bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, në kuadër të së cilës, varësisht nga situatat e krijuara, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës.