Një shtetas shqiptar është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Kurorës në Winchester, pasi u shpall fajtor për organizimin e një rrjeti kriminal të emigracionit të paligjshëm dhe për trafik droge në Mbretërinë e Bashkuar.
33-vjeçari Ibrahim Sollaku pranoi se kishte bashkëpunuar me persona të tjerë për të kontrabanduar pesë emigrantë shqiptarë nga Belgjika drejt Mbretërisë së Bashkuar në nëntor të vitit 2025. Ai kishte organizuar një shofer taksie për t’i transportuar emigrantët drejt një porti belg, ku do të ngarkoheshin në një kamion për të kaluar Kanalin e La Manshës. Pas mbërritjes në Britani, emigrantët do të merreshin nga një tjetër shofer dhe do të shpërndaheshin në komunitete të ndryshme.
Më 5 nëntor, policia belge ndërhyri duke arrestuar shoferin e taksisë dhe pesë emigrantët shqiptarë në qytetin e Bryzhit. Po atë ditë, Sollaku u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar nga oficerët e Njësisë Rajonale të Krimit të Organizuar në Jugperëndim.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti 105 gram kokainë të paketuar në plastmasë, si dhe 36 gram të tjera të ndara në 94 tuba plastikë. Gjithashtu, u sekuestruan shënime të shkruara dhe shuma parash, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e trafikimit të drogës. Në seancën e dhënies së deklaratës në dhjetor, Sollaku pranoi posedimin e drogës së klasës A me qëllim shpërndarjen.
Përfaqësuesja e Prokurorisë së Kurorës, Anja Hohmeyer, deklaroi se Ibrahim Sollaku kishte një rol kyç në këtë skemë kriminale për futjen e paligjshme të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, duke e cilësuar operacionin si një bashkëpunim të suksesshëm mes autoriteteve britanike dhe belge për goditjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të njerëzve.
Ndërkohë, drejtori i Krimeve të Organizuar në Jugperëndim, Adam Smith, theksoi se Sollaku ishte një kriminel i mirëorganizuar, i përfshirë në aktivitete serioze kriminale si trafikimi i emigrantëve dhe shpërndarja e drogës, duke shtuar se ai vepronte i motivuar vetëm nga fitimi, pa u shqetësuar për rrezikun dhe dëmin që shkaktonin këto vepra.