Një skemë e mirëorganizuar për futjen e lëndëve narkotike brenda Burgut të Elbasanit është zbuluar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan Ndriçim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan, Gerald Stamolla (i njohur edhe si Gerald Mali), i paraburgosur në këtë institucion, si dhe Esmeralda Komici, familjare e këtij të fundit. Dyshohet se droga futet në ambientet e burgut për qëllime fitimi përmes shitjes brenda qelive.
Sipas hetimeve, polici Ndriçim Kroi ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të lehtësuar futjen e lëndës narkotike, në bashkëpunim me të paraburgosurin Gerald Stamolla, ndaj të cilit u vendos edhe një masë e re sigurie. Ndërkohë, Esmeralda Komici dyshohet se ka shërbyer si lidhja jashtë burgut, duke futur drogën gjatë kontakteve familjare. Të tre personat u arrestuan me urdhër ekzekutimi të datës 22 janar 2026, bazuar në vendimin e Gjykatës së Elbasanit të 19 dhjetorit 2025.
Gerald Stamolla rezulton person me precedentë të rëndë penalë, pasi në vitin 2020 është arrestuar pas dëshmisë së një 16-vjeçareje, e cila ka deklaruar se ishte mbajtur peng dhe shfrytëzuar për prostitucion prej tij dhe partneres së tij të atëhershme, Evisa Mena. Sipas dëshmisë, e mitura ishte kërcënuar, dhunuar dhe droguar për ta detyruar të vazhdonte aktivitetin kriminal. Materialet procedurale për rastin e fundit janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.