Një qytetar nga Kamza i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar kushtet e rënda dhe denigruese në të cilat punojnë punonjësit e Bashkisë Kamëz. Shqetësimi i tij shoqërohet me një video, e cila sipas tij flet qartë për realitetin e hidhur me të cilin përballen këta punonjës çdo ditë.
Në pamjet e dërguara pranë redaksisë sonë, shihen dy punonjëse të bashkisë duke pastruar rrugët, teksa mbledhin mbeturinat drejtpërdrejt me duar, pa doreza dhe pa asnjë mjet mbrojtës. Një situatë që jo vetëm cenon dinjitetin e tyre, por përbën edhe rrezik serioz për shëndetin.
Qytetari që ka filmuar pamjet shpreh indinjatën e tij për mungesën totale të kushteve minimale të punës dhe ironizon drejtuesit e bashkisë, duke përmendur kryebashkiakun Rakip Suli me shprehjen: “Rroftë Rakip Suli”.
Ky denoncim ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si Bashkia Kamëz trajton punonjësit e saj dhe nëse respektohen standardet bazë të sigurisë dhe të drejtave në punë. Ndërkohë, pritet një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë shqetësuese.