Limonedha Miçani, një qytetare nga Korça i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar publikisht neglizhencën e Policisë së Korçës dhe Prokurorisë, të cilët nuk ndërmarrin veprime për fqinjin e saj problematik Ronaldo Kovaçi.
Sipas denoncimit të zonjës, fqinji i saj i ka hyrë disa herë në banesë duke i vjedhur sendet personale si telefonat, i ka dëmtuar pajisjet elektrike, frigoriferin dhe lavatriçen, dritaret, i ka vjedhur ushqimet, madje dhe enët e gatimit.
Denoncuesja shton se Ronaldo i ka grisur dhe librat e shenjtë. Në një rast, i riu që pretendohet se është dhe përdorues i lëndëve narkotike, ka sulmuar Limonedhën me thikë në pjesën e kokës, duke i shkaktuar dëmtime që e kanë detyruar të paraqitet në spital.
Ajo tregon se Policia është në dijeni të të gjithë veprimeve të fqinjit të saj, por nuk merr asnjë masë për të. Ronaldo duket se ka gjetur “parajsën” në Korçë, pasi pavarësisht vjedhjeve dhe sulmeve me thikë, Policia i garanton lirinë e pakushtëzuar.
Zonja shkruan: “Përshëndetje JOQ, ky person quhet Ronaldo Kovaçi është komshiu im në pallat. Ky person më ka shkaktuar shumë probleme, më ka shkatërruar shtëpinë, më ka vjedhur, plus më ka grisur Kuranët. Është hera e katërt që ndodh!
Policia është në dijeni të çdo gjëje dhe nuk marrin masa. Një herë kur e denoncova, Ronaldo erdhi në shtëpi dhe më ka goditur me majën e thikës te truri sa që unë vajta në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Prokuroria ka raportin tim ligjor dhe të spitaleve që vërteton se unë jam goditur me thikë dhe pranë nuk marrin masa.
Ky më ka vjedhur gjërat ushqimore, enët e shtëpisë, rrobat, atletet, më ka prishur frigoriferin dhe lavatriçen. Më ka grisur dhe librat! Nuk e duroj më sepse nuk po gjej drejtësi me Policinë e Korçës që e le të lirë sa herë që e shoqëron.
Ky pi drogë, unë nuk guxoj të dal nga shtëpia se më vjedh, e ka bërë rrugë. Ju lutem mos e lini pas dore. Unë jetoj te lagjja 4, ish-konvikti përballë shkollës Demokracia. Këtu jeton dhe ky.”