Kisha Orthodhokse përkujton njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Kryepiskopit Anastas

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 23.01.2026, 13:10

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka çelur aktivitetet përkujtimore në nderim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Kryepiskopit të lumur Anastas, një prej personaliteteve më të shquara të historisë moderne të Orthodhoksisë shqiptare dhe arkitektit kryesor të ringritjes së Kishës pas viteve ’90.

Në kuadër të këtyre veprimtarive, në Tiranë ka nisur një Konferencë Ndërkombëtare kushtuar jetës, veprës dhe trashëgimisë së tij shpirtërore, akademike dhe shoqërore. Konferenca, me temë “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”, zhvillohet nga data 22 deri më 24 janar 2026, nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, dhe organizohet nga Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos”.

Punimet e konferencës u hapën pasditen e së enjtes në auditorin qendror të Kolegjit “Logos”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri, studiuesve, akademikëve dhe personaliteteve të njohura nga vendi dhe nga jashtë. Fjalë përshëndetëse mbajtën Rektori i Kolegjit “Logos”, Arqipeshkvi Katolik Arjan Dodaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Erjon Sylari, duke vlerësuar kontributin unik të Kryepiskopit Anastas në ndërtimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës fetare.

Një mesazh i posaçëm u përcoll edhe nga Patriarku Ekumenik Bartholomeu, i cili theksoi se jeta dhe shërbesa e Kryepiskopit Anastas përbëjnë një sintezë të rrallë mes mendimit teologjik, veprimit baritor dhe angazhimit të vazhdueshëm në dialogun ndërfetar, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe të Kishës Orthodhokse në kohët bashkëkohore.

Gjatë ditës së parë të konferencës u prezantuan referime shkencore dhe dëshmi mbi veprën e tij, mes të cilave edhe kumtesa e Prof. Dr. Vasil Toles, i cili e vlerësoi Kryepiskopin Anastas si rindërtuesin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist.

Fjalën kryesore e mbajti Kryepiskopi Joan, i cili vuri në dukje kontributin e jashtëzakonshëm teologjik, eklesiastik dhe njerëzor të paraardhësit të tij, duke theksuar se trashëgimia e Kryepiskopit Anastas mbetet një burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë.

Aktivitetet përkujtimore do të përmbyllen të dielën, më 25 janar, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku do të kremtohet Liturgjia Hyjnore, e ndjekur nga Shërbesa e Përshpirtjes në nderim dhe kujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit