Në seancën e radhës në GJKKO për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit në vitin 2019, ku u vra Andi Maloku dhe u plagosën ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, Prokuroria e Posaçme paraqiti provat shkresore ndaj të pandehurve Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Prokurori Adnan Xholi bëri me dije se bëhet fjalë për 67 fashikuj me komunikime të zbardhura nga aplikacioni SKY ECC, duke kërkuar zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura për shkak të të dhënave sekrete që, sipas tij, nuk janë bërë ende publike.
Plaurent Dervishaj, i ekstraduar nga Dubai, akuzohet si organizatori kryesor i atentatit ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ndërsa Julian Meçaj, ish-anëtar i bandës së Durrësit, dyshohet se ka qenë bashkëporositës i sulmit të ndodhur më 1 nëntor 2019. Atentati la të plagosur Ndojin dhe Lahon, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Ndërkohë, Arjan Ndoja u shkarkua nga detyra në maj 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për papërshtatshmëri të figurës, nën dyshimet se kishte favorizuar persona me precedent penal gjatë ushtrimit të detyrës. Pavarësisht kësaj, në maj të këtij viti ai kandidoi në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, duke arritur të sigurojë një mandat si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.