Automjet luksoz Range Rover, i regjistruar me targat G444A në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi, është vendosur nën sekuestro nga SPAK, në kuadër të një hetimi të thelluar për aktivitet kriminal dhe abuzim me tendera shtetërorë të AKSHI-t.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se mjeti, i cili është filmuar më herët duke lëvizur në të njëjtën linjë me eskortën e kryeministrit, është dorëzuar tashmë pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Hetimi përqendrohet në një grup të dyshuar kriminal që operonte në fushën e tenderëve publikë, konkretisht në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas autoriteteve, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri ndodhen ende në kërkim.
Dosja hetimore përfshin edhe akuza të rënda, ku thuhet se grupi ka ushtruar presion dhe ka mbajtur peng biznesmenin Gerond Meçe, duke e detyruar të tërhiqej nga procedurat konkurruese për tenderë shtetërorë.