Kryeministri çek Andrej Babiš është bërë objekt talljesh në rrjetet sociale pasi bleu një glob të shtrenjtë për të lokalizuar Groenlandën, territor autonom i Danimarkës që së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump. Babiš e postoi globin në rrjetet sociale, por veprimi i tij nxiti reagime ironike dhe meme të shumta në internet.
Situata ka shkaktuar edhe debate politike, pasi Babiš, i njohur si mbështetës i Trump, është kritikuar për qëndrimet e tij ndaj Ukrainës dhe refuzimin e ndihmës ushtarake për Kievin. Përdorues të rrjeteve sociale e kanë akuzuar kryeministrin se po injoron afërsinë e luftës në Europë, ndërsa qeveria që ai drejton përfshin edhe forca euroskeptike dhe të djathta ekstreme.
Vetë Babiš ka mbrojtur blerjen e globit, duke deklaruar se ai kushtoi rreth 15 mijë koruna (720 dollarë) dhe shërben për të kuptuar më qartë përmasat reale gjeografike. Sipas platformës së krahasimit të çmimeve Heureka, kërkimet për globe dhe harta janë rritur me 420 për qind pas këtij episodi, ndërsa Donald Trump ka deklaruar se ka hequr dorë nga ideja për të marrë Groenlandën me forcë.