Dy vëllezër shqiptarë janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O”, në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025. Në pranga ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy nga Tirana, persona me precedentë penalë në Greqi, ndaj të cilëve ishte gjithashtu aktiv një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje dhe shkelje të ligjeve për armët.
Sipas hetimeve, 32-vjeçari Besmir Buci ka vendosur dhe aktivizuar një pajisje shpërthyese të improvizuar pranë lokalit, pasi kishte parkuar automjetin aty pranë, ndërsa vëllai i tij e priste në makinë për t’u larguar. Automjeti rezulton t’u jetë siguruar nga një bashkëpunëtor grek 44-vjeçar. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një thikë palosëse, tetë telefona celularë, pajisje telekomandimi, fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë aktit dhe automjetin e përdorur.
Autoritetet bëjnë me dije se shpërthimi ishte një “mesazh paralajmërues” për shantazh, pasi autorët kishin kërkuar para për mbrojtje të paligjshme, por pronari i lokalit kishte refuzuar. Klubi i natës ishte i mbyllur në momentin e sulmit, duke shmangur viktima, ndërsa shpërthimi shkaktoi dëme materiale në godinë dhe në një automjet pranë saj. Diskoteka “Jacky.O” ishte rihapur në gusht 2025, pas dekadash e mbyllur që nga viti 1987.