Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi ndaj institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë (periudha 2007–2012) dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado. Në padi kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror në vitin 2008, me argumentin se ai nuk plotësonte kriteret ligjore, pasi në atë kohë nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe ushtronte profesionin e noterit.
Veliaj pretendon se emërimi i prokurorit është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe kërkon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit të Ols Dados. Sipas padisë, ushtrimi i detyrës së prokurorit është kryer në mënyrë të paligjshme, duke cenuar rëndë rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
Në dokument theksohet se të gjitha veprimet penale ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi të pavlefshëm “nul ab initio”. Kujtohet gjithashtu se në shkurt 2025, pas arrestimit të tij, Veliaj kishte kërkuar nga ILD dhe KLP largimin e prokurorit Dado nga çështja, duke e akuzuar për konflikt interesi dhe kontakte të papërshtatshme lidhur me një kërkesë për leje ndërtimi.