“Dy ditë më parë nisi punën në lavazh: Mori para nga arka, u largua dhe më bëri bllok!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.01.2026, 20:45

Një qytetar nga Shkodra i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të ndodhur në vendin e tij të punës, një lavazh në qytet, ku një punëtor ka marrë para nga arka dhe është larguar nga puna.

Sipas denoncimit, punëtori kishte vetëm dy ditë që kishte nisur punë, ndërsa ngjarja është e dokumentuar nga kamerat e sigurisë, ku shihet qartë momenti kur ai merr një pjesë të parave, i fut në xhep dhe largohet nga ambientet e lavazhit.

“Punëtori kishte dy ditë që kishte filluar punë. Pa pikë turpi merr paratë nga arka dhe ikën. Më pas më bën bllok në numrin e telefonit,” – shprehet pronari në mesazhin e dërguar.

I kontaktuar nga redaksia jonë për më shumë detaje, qytetari bën me dije se shuma e marrë është 35 mijë lekë të vjetra, ndërsa sqaron se fillimisht nuk ka dashur ta denoncojë rastin në polici, pasi shuma nuk ishte e madhe.

“S’doja ta denoncoja për 35 mijë lekë të vjetra, nuk është se më prish punë. Por më vjen inat sepse e respektova, i lashë rrogën aq sa e kërkoi dhe i thashë që për çdo hall të më tregonte,” – tregon ai.

Pronari shton se pasi punëtori i kishte bërë bllok atij dhe menaxherit të punës, ai ka tentuar ta kontaktojë nga një numër tjetër, duke i dërguar edhe videon ku shihet momenti i marrjes së parave. Pas kësaj, sipas tij, punëtori ka nisur të justifikohet dhe t’i kërkojë falje.

“Filloi të justifikohej, u betua disa herë, madje edhe për një vajzë që tha se kishte, por prapë nuk më bindi,” – shprehet qytetari.

Ai thekson se nuk e ka çuar rastin në polici për arsye njerëzore, por ka vendosur ta bëjë publik vetëm për të paralajmëruar bizneset e tjera, që të tregojnë kujdes ndaj personave të tillë.

JOQ Albania e publikon këtë rast si denoncim të qytetarit dhe mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim nga pala e përmendur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit