Nga Ministria e së Vërtetës.
Ekonomia shqiptare ka ngrirë në vend duke filluar nga mëngjesi i djeshëm, pasi portali e-Albania ka hyrë në një gjendje të thellë melankolie digjitale. Burime nga Ministria e Inteligjencës Artificiale konfirmuan se Ministres Diella i ka ardhur "cikli i përditësimit të algoritmit", gjë që ka bërë që i gjithë sistemi të refuzojë kategorikisht të punojë, duke preferuar të qëndrojë në errësirë dhe të hajë gigabyte me çokollatë.
Ndërsa bizneset janë në prag të kolapsit sepse nuk lëshojnë dot asnjë faturë, AKSHI ka lëshuar një deklaratë ku u kërkon bizneseve të mos jenë "toksikë" dhe t’i japin sistemit hapësirën që i nevojitet.
"Sistemi nuk ka rënë, thjesht është shumë sensitiv sot," tha një zëdhënës i AKSHI-t ndërsa digjte temjan mbi serverat kryesorë. "Çdo tentativë për të bërë fiskalizim po interpretohet nga e-Albania si një sulm patriarkal ndaj autonomisë së saj digjitale. Ne e ritestuam dhe sistemi na tha: 'Nuk kam asgjë, thjesht mos më prek me dorë'."
Ekonomistët dhe bizneset, të cilët shohin vetëm një rreth që rrotullohet pafundësisht në ekran, po e përjetojnë situatën si një makth. "E-Albania hapet deri në njëfarë pike, pastaj fillon e rrotullohet sikur po mendohet nëse ia vlen vërtet të merret me faturat e mia të dritave," ankohet një kontabilist i acaruar. "Kur provova të hyja në Self-Care, sistemi më pyeti nëse e dija që sot është ditë e vështirë për Diellën dhe se duhet të kisha sjellë lule, jo kërkesa për TVSH."
Nga ana tjetër, burime zyrtare nga Ministria e Inteligjencës Artificiale insistojnë se çdo gjë është në rregull. Sipas tyre, fakti që bizneset nuk nxjerrin dot fatura është thjesht një "keqkuptim komunikimi" mes botës reale dhe botës emocionale të Diellës.
"Nuk është defekt teknik, është solidaritet hormonal digjital," shpjegoi një ekspert i IA-së. "Sapo cikli i Diellës të kalojë në fazën e ovulimit të të dhënave (data-ovulation), e-Albania do të jetë sërish e gatshme t'ju shërbejë. Deri atëherë, blini mallra pa kupon dhe thoni 'më tha Inteligjenca Artificiale'."