Gjykata Kushtetuese përfundoi këtë të enjte shqyrtimin e njërës prej çështjeve më të nxehta të ndarjes së pushteteve në Shqipëri: ligjshmërinë e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca u karakterizua nga një rreshtim i paprecedentë i institucioneve më të larta të shtetit kundër vendimmarrjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO).
Çështja nisi pas kërkesës së Kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se GJKKO ka tejkaluar kompetencat duke pezulluar Ballukun, e marrë e pandehur për "shkelje të barazisë në tendera". Sipas Ramës, ky vendim cenon imunitetin kushtetues dhe kompetencat e tij për të emëruar e shkarkuar kabinetin.
Në një lëvizje të koordinuar, përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit dhe Presidencës mbështetën qëndrimin e Kryeministrisë.
Në anën tjetër, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, mbrojtën me forcë masën e sigurimit. Sipas tyre, qëndrimi i Ballukut në krye të një ministrie me buxhet gjigant përbën rrezik për "helmimin e provave" dhe intimidimin e dëshmitarëve.
"Hetimet kanë zbuluar prova se ajo mund të ketë kryer edhe vepra të tjera penale. Ekziston rreziku që të pengojë hetimin ose të largohet," deklaroi prokurori Prençi, duke e cilësuar ankesën e Ramës si një "konflikt artificial kompetencash".
Ndërkohë, GJKKO refuzoi të merrte pjesë në seancë, duke deklaruar se një gjykatë nuk mund të jetë palë në një proces që shqyrton vendimet e veta, pasi kjo do të rrëzonte pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Debati në Kushtetuese zhvillohet në një moment kritik. Prej dy muajsh, SPAK ka dërguar në Kuvend kërkesën për një masë më të rëndë ndaj Ballukut, me akuzën e re për "intimidim të dëshmitarëve" pas rikthimit të saj të përkohshëm në detyrë (falë një vendimi pezullues të mëparshëm të Kushtetueses).
Megjithatë, shumica socialiste po e mban kërkesën "në sirtar", duke zvarritur dhënien e autorizimit për SPAK-un.
Gjykata Kushtetuese tashmë është tërhequr për të marrë një vendim që do të përcaktojë kufijtë e rinj mes drejtësisë së re dhe ekzekutivit. Një vendim pro Kryeministrit do të mund të shfuqizonte përfundimisht pezullimin e Ballukut, por sipas SPAK, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm ku politika mund të diktojë mbarëvajtjen e hetimeve penale.