Edoardo Bove është gati të hapë një faqe të re dhe ambicioze në karrierën e tij. Vetëm pak ditë pas ndërprerjes së kontratës me Romën, mesfushori italian ka zyrtarizuar transferimin te Watfordi, skuadër që garon në Championshipin anglez.
Klubi anglez e ka bërë publike marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar, duke konfirmuar afrimin e 23-vjeçarit: “Watford ka kënaqësinë të njoftojë se ka përfunduar nënshkrimin e Edoardo Boves. Mesfushori ka firmosur një kontratë pesëvjeçare e gjysmë, pas ndërprerjes së marrëveshjes me AS Romën.”
Ky transferim shënon rikthimin e Boves në futbollin aktiv pas një periudhe shumë të vështirë. Më 1 dhjetor 2024, ai pësoi një arrest kardiak në fushë gjatë sfidës Fiorentina–Inter, një moment dramatik që tronditi botën e futbollit. Pas një ndërhyrjeje të suksesshme kirurgjikale dhe vendosjes së një defibrilatori kardiak, mesfushori mori dritën jeshile për t’u rikthyer në nivele profesionale.
Tashmë, Bove nis një aventurë të re në Angli, me objektivin për të rifituar formën më të mirë dhe për të dhënë kontributin e tij në ambiciet e Watfordit. Një kapitull i ri hapet për mesfushorin italian, i cili mbart me vete eksperiencën te Roma dhe Fiorentina, kjo e fundit një klub që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së tij personale dhe sportive.