Monika Kryemadhi është paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Gjatë daljes, ajo nuk i ka kursyer batutat me gazetarët, duke ironizuar: “U puth Ina me Kejsin, kur thashë unë dashuri me regji nuk më besuat. Si këtu, drejtësi me regji”.
Vitin e kaluar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykim ish-Presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Të akuzuarit janë përfshirë në hetimin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Hetimi i SPAK filloi në vitin 2019 dhe u zgjerua gradualisht gjatë viteve, duke u bazuar në kallëzime të ndryshme që më pas u bashkuan në një të vetme në vitin 2024. Çështja pritet të marrë rrugë në gjykatë dhe të vendosë për përgjegjësinë e të akuzuarve në këtë skandal financiar.