Konfiskohen mbi 76 kilogramë marihuanë në Merdare, arrestohen tre persona

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.01.2026, 15:09

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër trafikimit të narkotikëve, duke konfiskuar mbi 76 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë dhe duke arrestuar tre persona të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, pas hetimeve që kanë zgjatur disa muaj dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore në kuadër të rastit të koduar “Bregdeti”, më 21 janar 2026, rreth orës 23:00, afër pikëkalimit kufitar në Merdare, është ndaluar i dyshuari H.S., i cili po drejtonte një kamion me targa vendore. Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar të fshehura 68 paketime me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 76 kilogramë e 800 gramë.

Në vazhdim të operacionit, me urdhër gjykate është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, me asistencën e njësive përkatëse policore, ku janë sekuestruar një armë zjarri me pesë fishekë të kalibrit 9.9 mm, dy vetura, një kamion, një telefon celular si dhe 2 mijë e 950 euro para të gatshme.

Ndërkohë, më 22 janar 2026, policia ka realizuar bastisje edhe në dy lokacione të tjera, në shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak të Podujevës. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe katër paketime me substancë narkotike të dyshuar marihuanë, me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, dy vetura, dy telefona celularë, si dhe thasë najloni dhe ngjitës që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve. Po ashtu, është konfiskuar edhe një armë me gaz e modelit “Sig Sauer”.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejshme hetimore në përputhje me ligjin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit