I pandehuri Petrit Qoli është marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku akuzohet për përfshirje në vrasjen e Fatmira Dedës. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka dhënë detaje mbi aktivitetin e tij profesional, burimet e të ardhurave dhe lidhjet familjare.
Qoli deklaroi se në periudhën 2002–2013 ka punuar si kapiten i anijeve të peshkimit, ndërkohë që ka qenë pronar i dy anijeve, “Dibra” dhe “Sazani”. Sipas tij, në të njëjtën kohë ka përfunduar edhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Kristal”.
Në vijim, ai tha se është marrë edhe me ndërtim, duke ndërtuar rreth 8–9 pallate. “Më vjen turp ta them, por kam edhe fakultet Juridiku. Ndërkohë jam marrë edhe me ndërtim dhe kam bërë disa pallate”, deklaroi ai. Sipas tij, ideja për ndërtim i ka ardhur nga kushëriri i tij, Mustafa Laço, i cili ishte ndërtues prej vitesh.
Ai shpjegoi se ndërtesën e parë e ka realizuar pranë zonës së gropës arkeologjike, pas Pallatit të Kulturës, dhe se kishte në dispozicion rreth 300 mijë marka, të siguruara nga aktiviteti i peshkimit.
Sa i përket vëllait të tij, Festim Qoli, Petrit Qoli tha se ai ka pasur disa biznese, si bar-kafe dhe palestër, të cilat i ka ndërtuar vetë. Sipas tij, Festimi është marrë edhe me tregti makinash të dubluara dhe ka pasur lidhje me shtetas italianë. “Është fatkeqësi për familjen tonë”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk kanë punuar kurrë së bashku.
Ai foli edhe për kushëririn Agron Qoli, të cilin e përshkroi si “djalë model” dhe ndërtues, por theksoi se nuk kanë pasur bashkëpunime biznesi.
Gjatë dëshmisë, Qoli pranoi se ka udhëtuar shpesh jashtë shtetit për shkak të aktivitetit me anije peshkimi. Për Festim Qolin, ai deklaroi se kishte lidhje familjare me një shtetase bullgare të pasur, e cila merrej me tregti inertes dhe kishte edhe pasaportë britanike.
Në fund të dëshmisë, Qoli theksoi se të gjitha pronat e tij janë të hipotekuara dhe se ka ndjekur personalisht ndërtimet. “Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Jam autodidakt”, përfundoi ai.
Dëshmia:
Qoli: Nga 2002 deri në 2013 kam patur anije peshkimi, kam punuar si kapiten anijeje. Anija ‘Dibra’ dhe ‘Sazani’. Më vjen turp ta them, por kam edhe fakultet juridik, te Kristali. Ndërkohë kam bërë dhe 9 pallate, jam marrë edhe me ndërtim.
Behar Dibra: Idenë për ndërtimtari, nga e more?
Qoli: Kam kushëri Mustafa Laçon. Është ndërtues, duhet të jetë 80 vjeç. I thashë kam 300 mijë marka. Ndërtimin e parë e kam bërë te gropa arkeologjike, mbrapa Pallatit të Kulturës.
Prokurori Dibra: Ku i gjete këto lekë?
Qoli: Nga peshkimi, kam patur gjithmonë anije të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qolin. Edhe motër, Rezana Qoli.
Prokurori Dibra: Ndërkohë që ju merreshit me peshkim vëllai me çfarë merrej?
Qoli: Kishte 5 biznese, bar kafe, palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara. Kishte shumë miq italianë. Më pas u shtrëngua puna. Ku e di unë ku i njohu italianët. Kisha blerë një truall në Rruzhbull.
Prokurori: Kush është Agroni?
Qoli: Agron Qoli është çuni xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Nuk kemi punuar bashkë. Unë kam bërë 8-9 pallate. Edhe xhaminë në Rruzhbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.
Prokurori: A kishte të ardhura Festimi?
Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.
Prokurori: Ke dalë jashtë shtetit?
Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi. Nuk ishte e bukur… por.. nuk e di çfarë sheh Festimi tek ajo. Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje. Ka patur shoqëri me Laertin e Palma Novës. Sapo fillova unë duke ndenjur me të, u ftoh ai. Gjithmonë si Tomi me Jerry kemi shkuar.
Prokurori: Pretendime pronësie keni patur?
Qoli: Unë kam hipotekuar të gjitha apartamentet. Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Unë jam autodidakt.