Me vetëm një javë deri në përfundim të janarit, punonjësit e sistemit shëndetësor në disa spitale të vendit vazhdojnë të presin pagat e muajit dhjetor. Situata është alarmante dhe tregon një dështim të qartë të institucioneve përgjegjëse, të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë pagesën e pagave për stafin shëndetësor në kohë.
Denoncimet vijnë nga personeli i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe nga spitali rajonal i Shkodrës dhe ai i Korçës, ku infermierët dhe punonjës të tjerë shëndetësorë shprehen të indinjuar dhe të lodhur nga vonesat e përsëritura.
Punonjësit e QSUT-së ngrenë shqetësimin se vonesat po i vendosin në vështirësi serioze financiare, pasi afatet e pagesës së kredive dhe detyrimeve mujore po afrohen. Ata theksojnë se përveç se nuk po marrin shpërblimet, tashmë po u vonohet edhe paga që u takon me ligj – një e drejtë bazë që nuk duhet të jetë kurrë në diskutim.
Edhe në Shkodër, infermierët raportojnë se pagat e dhjetorit nuk janë reflektuar ende në llogaritë bankare, duke krijuar një situatë të papranueshme për profesionistët që janë në vijën e parë të luftës me sëmundjet.
Kjo vonesë e përsëritur nuk është vetëm një problem administrativ, por një tregues i një menaxhimi të dobët dhe i mungesës së përgjegjësisë nga institucionet. Punonjësit e shëndetësisë kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke paralajmëruar se situata po ndikon drejtpërdrejt në jetesën e tyre dhe në motivimin për të vazhduar punën në kushte të tilla.
Denoncimi 1:
Personeli shëndetësor i QSUNT-s, të cilëve nuk u ka kaluar ende pagesa e muajit dhjetor. Në rast se janë me kredi dhe do tu duhet ta paguajnë me kamatvonesë këtë muaj, do tua rimbursoj drejtoria spitalit kamatvonesën.
Denoncimi 2:
Si jeni, rrogat e mjekëve, infermierëve dhe sanitarëve të QSUNT nuk kanë dalë akoma.