Ashtu si me skemën famëkeqe “Shqipëria 1 Euro”, ku prona publike përfundoi për 99 vjet në duart e njerëzve të afërt me pushtetin, edhe “Paketa e Maleve” po cilësohet si një ligj haptazi klientelist. Me një euro tokë, zero taksa për dhjetë vite dhe shumë premtime për zhvillim, qeveria shqiptare po e shet idenë se malet janë bosh dhe presin shpëtimin nga investitori, ndërsa banori autokton shihet si pengesë që duhet zhdukur nga panorama.
Në Dibër, kjo paketë ka marrë formë konkrete. Korabi, Hinoska, Grama, Zimuri, Kodra e Gjaricës, Kallë, Lashkiza, Lugjej, Lura, Luznia, Sllatina, Lan-Lura, livadhet e Kallës e Vleshës, lugina e Drinit, Selishta dhe Rabdishti janë futur të gjitha në hartën e madhe të “zhvillimit prioritar”. Me një VKM të vetëm, malet, bjeshkët, livadhet dhe luginat janë kthyer në inventar ekonomik, gati për t’u kaluar nga pronë publike në pronë private, me çmim simbolik dhe përfitim shumë real për pak njerëz.
Ndërkohë që bota admiron bukuritë e këtyre zonave, shteti po bën një make-up brutal, largon fshatarin dhe fton oligarkun. Ashtu si në Theth, ku ruspat nuk shkojnë për rrugë, por për shembje të mundit të banorëve, edhe në Dibër rreziku është i njëjtë, turizmi familjar zëvendësohet nga resorti, shtëpia nga vila luksoze dhe historia nga kontrata pronësie. “Paketa e Maleve” nuk duket se është për ata që jetojnë në male, por për ata që zbresin me projekt investimi dhe ngjiten me tapinë në xhep.
Në fund, Dibra rrezikon të mbetet një hartë e bukur pa njerëz, një mal pa fshatar, një zhvillim pa komunitet. Sepse në këtë paketë, gjithçka mund të ndërtohet, të shitet dhe të betonohet, përveç jetës së atyre që kanë lindur dhe janë rritur në këto male.