Muçi një hap larg rekordit 14-vjeçar, Trabzonspori zbulon të ardhmen e kuqezit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 22.01.2026, 11:06

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Trabzonsporit, duke u shndërruar në një nga protagonistët absolutë të skuadrës turke. Sulmuesi kuqezi ka realizuar deri tani 10 gola në 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shifra që flasin qartë për ndikimin dhe pjekurinë e tij në lojë.

Sfida e së nesërmes ndaj Kasımpashës pritet të ketë një rëndësi të veçantë për Muçin. Nëse arrin të gjejë sërish rrugën e rrjetës, ai do të barazojë një rekord historik të klubit, duke shënuar në 7 ndeshje radhazi, një arritje që mbahet ende nga legjenda e Trabzonsporit, Burak Yılmaz, që nga sezoni 2011/2012.

Paraqitjet mbresëlënëse të shqiptarit kanë bindur drejtuesit e klubit, të cilët tashmë po mendojnë seriozisht për blerjen përfundimtare të kartonit të tij. Presidenti i Trabzonsporit, Ertuğrul Doğan, foli mëngjesin e sotëm për situatën e Muçit, duke zbuluar detaje nga negociatat.

“Ai u pëlqye që në fillim nga departamenti ynë i skautimit. Ne bëmë një ofertë edhe përpara se Beşiktaşi të firmoste me të, por ishte për gjysmën e shumës që ata paguan. Aktualisht po diskutojmë mënyrën e pagesës. Në momentin që Trabzonspori aktivizon klauzolën, shuma do të shlyhet në 5 këste dhe vendimi final i takon stafit teknik”, u shpreh Doğan.

Sipas presidentit, Trabzonspori nuk është i detyruar të paguajë menjëherë shumën e plotë prej 8.5 milionë eurosh, e cila është e përcaktuar në kontratë. Klubi mund të aktivizojë opsionin e blerjes duke paguar një këst fillestar prej 1.5 deri në 2 milionë euro, përpara fundit të muajit maj.

“Nëse trajneri na kërkon ta aktivizojmë opsionin në fund të sezonit, dhe gjithçka po shkon në këtë drejtim, procesi do të vazhdojë mbi bazën e vlerësimeve teknike”, përfundoi Doğan.

Me formën aktuale dhe vazhdimësinë që po tregon, Ernest Muçi jo vetëm që po shkruan emrin e tij në historinë e Trabzonsporit, por po konfirmohet edhe si një nga lojtarët më të rëndësishëm shqiptarë në futbollin europian

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit