Vrasja e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj, i ekzekutuar me shtatë plumba në prill 2023 në Shëngjin, ishte pjesë e një zinxhiri të gjatë hakmarrjeje që, sipas gazetës britanike “The Sun”, nuk ka përfunduar ende. Media shkruan se atentati brutal, i kryer nga një vrasës i maskuar si shpërndarës picash, lidhet me një hasmëri 30-vjeçare mes dy familjeve nga veriu i Shqipërisë, konflikt që ka marrë tetë jetë ndër vite.
“The Sun” raporton se për eliminimin e Ardian Nikulajt ishte vendosur një shpërblim prej 1.7 milionë paundësh, shumë që bëri që për herë të parë të rekrutohej një skuadër e huaj vrasësish nga Britania, pasi askush në Shqipëri nuk pranoi ta merrte kontratën. Sipas hetimeve, atentati u planifikua me kujdes, me vëzhgim të vazhdueshëm të lëvizjeve të viktimës dhe përfshirjen e disa shtetasve britanikë, ndërsa ekzekutori u arratis jashtë vendit menjëherë pas krimit.
Familja e Ardian Nikulajt shpreh frikën se hakmarrja mund të vazhdojë, pasi vëllai i tij, Arben Nikulaj, është paralajmëruar se mbetet ende në shënjestër të armiqve. E veja e viktimës, Rudina Nikulaj, i ka bërë thirrje autoriteteve britanike të lejojnë ekstradimin e të dyshuarve, duke theksuar se drejtësia është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund ciklit të përgjakshëm të hakmarrjes.