Rama e sfidoi në Kushtetuese, GJKKO nuk merr pjesë në seancën për Ballukun

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 22.01.2026, 09:43

Gjykata e Posaçme ka njoftuar se nuk do të ketë përfaqësues të saj në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Sipas deklaratës së GJKKO, ajo nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata thekson se pjesëmarrja si palë e interesuar në këtë proces do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor, duke krijuar konflikt interesi. Vendimi i sotëm vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e procesit ligjor ndaj Ballukut, pas pezullimit dhe masave të tjera të marra nga GJKKO.

Deklarata e plotë e GJKKO

Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të medias,

Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:

Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave...,

Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit