Gjykata Kushtetuese pritet të mblidhet mëngjesin e kësaj të enjte, 22 janar 2026, për të shqyrtuar ankimin e depozituar nga kryeministri Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila pezulloi nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku. Seanca do të zhvillohet në formë publike dhe është parashikuar të nisë në orën 10:00.
Ankimi është dorëzuar nga Rama në nëntor të vitit të kaluar, ku ai kërkon që Kushtetuesja të vlerësojë nëse masa e pezullimit ndaj Ballukut përbën cenim të kompetencave kushtetuese dhe të parimit të ndarjes së pushteteve. Sipas pretendimeve të kryeministrit, një gjykatë speciale si GJKKO nuk ka juridiksion për të pezulluar nga detyra një anëtar të Këshillit të Ministrave, duke e konsideruar vendimin si tejkalim kompetencash.
GJKKO vendosi më 20 nëntor pezullimin e Ballukut nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Balluku akuzohet se, së bashku me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, duke favorizuar kompani të caktuara, si edhe për shkelje të barazisë në tendera në projektin e Unazës së Madhe. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestimin e saj, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve pritet të mbahet më 28 janar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.