Një qytetar ka denoncuar pranë JOQ Albania problematikat e hasura me kompaninë postare Albanian Courier, duke pretenduar se porosia e tij nuk është dorëzuar pavarësisht se disa herë ka rezultuar me statusin “në shpërndarje”. Sipas komunikimeve dhe pamjeve të vëna në dispozicion, dërgesa është nxjerrë disa herë për shpërndarje, por pa mbërritur kurrë te klienti, ndërsa më pas është shënuar si “nuk u dorëzua te klienti / e kthyer”.
Qytetari thekson se nuk është kontaktuar në mënyrë të rregullt nga korrierët dhe se nuk i është dhënë një shpjegim i qartë mbi arsyet e mosdorëzimit të porosisë. Në bisedat me përfaqësues të shërbimit ndaj klientit, ai pretendon se ka marrë përgjigje kontradiktore, ndërkohë që problemi ka mbetur i pazgjidhur dhe porosia nuk i është dorëzuar as pas disa tentativave të deklaruara nga kompania.
Në kuadër të verifikimit të këtij denoncimi, JOQ Albania i ka dërguar një email zyrtar kompanisë Albanian Courier, ku ka kërkuar sqarime mbi rastin, procedurat e ndjekura dhe qëndrimin e kompanisë. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, JOQ Albania nuk ka marrë asnjë reagim apo përgjigje zyrtare nga kompania në fjalë.
