Shqiptari në Angli dënohet me burg për kultivim kanabisi, tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke kapërcyer gardhin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.01.2026, 22:56

Një shtetas shqiptar është dënuar me 16 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për përfshirje në prodhimin e kanabisit dhe tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u larguar me vrap nga banesa.

Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Sebastian Lasku, banues në Nightingale Avenue në Eastleigh, i cili u paraqit para Gjykatës së Magjistratëve në Southampton më 9 janar, ku pranoi akuzën.

Rasti lidhet me një kontroll policor të zhvilluar më 13 nëntor 2025, në kuadër të një urdhri sipas ligjit për narkotikët. Gjatë operacionit, policia zbuloi një ambient të përshtatur si fabrikë kanabisi. Sapo oficerët hynë me forcë në banesë, Lasku tentoi të shmangte arrestimin duke u arratisur dhe duke kapërcyer një gardh kopshti, por u kap pak më vonë nga policia, raportojnë mediat britanike.

Gjatë kontrollit në pronë, autoritetet gjetën rreth 80 bimë kanabisi, si edhe 27 thasë me nga 1 kilogram kanabis të përpunuar, të cilët sipas policisë ishin gati për shitje dhe kishin një vlerë të lartë tregu.

Policia britanike deklaroi se ky operacion parandaloi përhapjen e mëtejshme të lëndëve narkotike dhe se fabrika të tilla përbëjnë rrezik serioz edhe për sigurinë publike, për shkak të instalimeve të rrezikshme elektrike që mund të shkaktojnë zjarr.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në lagjet e tyre, duke theksuar se informacionet nga publiku janë thelbësore për goditjen e veprimtarive kriminale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit