Ndërkohë që flitet për kursime dhe efiçencë në administratën publike, paratë e taksapaguesve shqiptarë vijojnë të qarkullojnë në rrethe të mbyllura familjare dhe politike. Denoncimi i radhës vjen për Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), i drejtuar nga Arlinda Pogaj, e cila ka firmosur një tender të majmë për ushqimin e Spitalit të Traumës.
Bëhet fjalë për procedurën me objekt: Loti 2: “Shërbimi i gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Spitalin Universitar të Traumës”. Kjo procedurë, e cilësuar "e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar", ka përfunduar me shpalljen fituese të kompanisë “DAJTI PARK 2007” sh.p.k.

Sipas dokumenteve zyrtare, rezultati i këtij tenderi kap shifrën marramendëse prej 125,424,000 lekë të reja pa TVSH ose afërsisht 1.5 milionë euro me TVSH.
Ajo që e bën këtë tender të dyshimtë nuk është vetëm vlera e lartë, por pronësia e kompanisë fituese. “DAJTI PARK 2007” është në pronësi të shtetasve Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja. Lulzim Qefalia është as më pak e as më shumë se vëllai i Xhemal Qefalisë, figurës së njohur politike dhe aktualisht Zëvendësministër i Brendshëm.

Ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi integritetin e tenderave të drejtuar nga Arlinda Pogaj, e njohur si "Linda e tenderave". Si ka mundësi që kontratat më të rëndësishme për shërbimet spitalore përfundojnë sërish në duart e familjarëve të zyrtarëve të lartë të shtetit?
Ky tender është një tjetër provë se paratë e shëndetësisë, në vend që të shkojnë për barna apo kushte më të mira për pacientët, shërbejnë për të majmur xhepat e "vëllazërisë" politike.
