Humbja e një kafshe shtëpiake mund të shkaktojë pikëllim të thellë dhe afatgjatë, të krahasueshëm me humbjen e një njeriu të dashur. Në këtë përfundim ka dalë një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën pjesë 975 të rritur.
Ekspertët zbuluan se disa pronarë kafshësh zhvillojnë “Çrregullim të Zgjatur të Pikëllimit”, një gjendje serioze e shëndetit mendor që mund të zgjasë me muaj ose vite. Aktualisht, ky çrregullim diagnostikohet vetëm pas humbjes së një njeriu, por studiuesit kërkojnë që kriteret klinike të përfshijnë edhe humbjen e kafshëve shtëpiake.
Studimi tregoi se 1 në 3 persona kishte përjetuar humbjen e një kafshe shtëpiake. Nga këta, 7.5% plotësonin kriteret për çrregullim të zgjatur të pikëllimit, një përqindje e ngjashme me ata që kishin humbur një mik të afërt (7.8%).
Shifrat ishin vetëm pak më të larta për humbjen e një gjyshi (8.3%), të një vëllai apo motre (8.9%) ose të një partneri (9.1%). Vetëm humbja e prindërve (11.2%) dhe e fëmijëve (21.3%) rezultoi me nivele dukshëm më të larta të pikëllimit të zgjatur.
Po ashtu, 1 në 5 persona që kishin humbur si një kafshë shtëpiake ashtu edhe një të afërm, e konsideronin humbjen e kafshës si më të dhimbshmen. Në total, vlerësohet se 1 në 12 raste të këtij çrregullimi në Mbretërinë e Bashkuar lidhen me humbjen e një kafshe shtëpiake.
Sipas autorit të studimit, ky pikëllim është “klinikisht i rëndësishëm” dhe nuk duhet nënvlerësuar, pasi përjashtimi nga kriteret diagnostikuese mund të lërë shumë persona pa mbështetjen e nevojshme psikologjike.